Tulla Visual Art Lab – Fëmijët 4

Tulla Visual Arts LAB
Fëmijët – 4

Datat e programit:
22 – 28 Korrik 2026
Afati i aplikimit:
20 Korrik 2026
Pjesëmarrja:
Përmes aplikimit

Informata mbi programin
Tulla Visual Art LAB

është një program edukativ jo-formal që organizohet një herë në vit dhe u ofron fëmijëve mundësinë të eksplorojnë artin pamor përmes krijimtarisë, eksperimentimit dhe bashkëpunimit. Programi synon të zhvillojë mendimin krijues, shprehjen artistike dhe vlerësimin për artin si një mjet për të kuptuar botën dhe kulturat e ndryshme.

Gjatë periudhës së programit edukativ, TULLA shndërrohet në një laborator i cili edukon dhe ndërton bashkëpunime midis pjesëmarrësve.

Qëllimi i programit të arsimit jo-formal është të trajnojë të rinjtë për rrugën dinamike të karrierës në art, gjithmonë duke vënë në dukje rëndësinë e ndërtimit të një të ardhme të qëndrueshme miqësore me mjedisin.

Programi – Forma dhe Përsëritja

Nga 22 deri më 28 korrik 2026, në Tulla – Culture Center, Tiranë, do të zhvillohet punëtoria gjashtëditore e udhëhequr nga Dardane Hadri.
Tema e këtij viti “Forma dhe Përsëritja”, fton fëmijët të eksplorojnë marrëdhënien mes formës, ritmit, përsëritjes dhe rendit si elemente themelore të gjuhës pamore. Përmes procesit krijues, ata do të zbulojnë se si modelet ndërtojnë kuptim, shprehin ide dhe lidhin artin me natyrën, kulturën dhe jetën e përditshme.

Duke eksperimentuar me materiale, teknika dhe qasje të ndryshme artistike, pjesëmarrësit do të zhvillojnë një gjuhë vizuale personale dhe një kuptim më të thellë të potencialit krijues të artit.

Programi ndërthur punën praktike, diskutimet dhe njohjen me artistë e vepra nga periudha dhe kultura të ndryshme, duke i inkurajuar fëmijët të vëzhgojnë, të eksperimentojnë dhe të zhvillojnë mënyrën e tyre të të menduarit dhe të krijuarit.

Instruktore

Dardane Hadri – është mësuese e artit në Argyle Primary School, King’s Cross, Londër, me mbi 20 vjet përvojë në edukimin artistik. Ajo frymëzon fëmijët të zhvillojnë kreativitetin dhe shprehjen artistike përmes teknikave të ndryshme, duke i njohur me artistë klasikë dhe bashkëkohorë dhe duke ndërtuar tek ata një vlerësim të qëndrueshëm për artin. Dardane beson se kreativiteti nuk formëson vetëm atë që krijojmë, por edhe mënyrën se si jetojmë, dhe se edukimi artistik i ndihmon fëmijët të kuptojnë botën, të mendojnë në mënyrë kritike dhe të gjejnë zërin e tyre krijues.

Punimet e nxënësve të saj janë ekspozuar në institucione dhe galeri prestigjioze në Londër, si British Museum, British Library, October Gallery, St Pancras Station dhe Lethaby Gallery (Central Saint Martins). Për tre vite me radhë ajo ka bashkëpunuar me Tulla Gallery në Tiranë, duke udhëhequr punëtori dhe projekte artistike me fëmijë të moshave të ndryshme, të cilat kanë përfunduar me ekspozita të kuruara që kanë festuar krijimtarinë dhe arritjet e pjesëmarrësve.

Gjatë kësaj punëtorie, Dardane do të udhëheqë fëmijët në një proces eksplorimi, vëzhgimi dhe krijimi, duke i inkurajuar të shohin artin jo vetëm si një praktikë krijuese, por edhe si një mënyrë për të kuptuar veten dhe botën që i rrethon.

Regjistrimi

Ky program ofrohet për fëmijët nga mosha 7 deri 14 vjeç.

Afati i aplikimit 20 korrik 2026 

Tarifa e kursit: falas

Ekspozitë e përbashkët pas përfundimit të programit.

Tulla Visual Art Lab do të realizohet në hapësirat e Tulla – Culture Center, në Tiranë. TVAL është pjesë e programit vjetor të Tullës i cili mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Kohëzgjatja

  • Punëtoria: 22 deri më 28 Korrik 2026 nga ora 10:00-13:00
  • Hapja e ekspozitës: 28 Korrik 2026.

Kontakti

Afati i fundit i aplikimit:
20 Korrik 2026
Për më shumë informacione:
education@tulla.tv

Mbështetur nga